Telegrafi

Krasniqi: Haradinaj do të jetë kryeministër deri në fund të mandatit

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në një prononcim për Telegrafin ka demantuar deklaratën e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri (LDK), se partia e Kadri Veselit i ka ofruar partisë së Isa Mustafës bashkëpunim për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri, Ramush Haradinaj.

Krasniqi tha se Haziri ka gënjyer, pasi askush prej PDK-së nuk ka biseduar me askënd prej LDK-së për çështje të Qeverisë.

“Lutfi Haziri ka gënjyer! Asnjëherë, askush prej PDK-së nuk ka biseduar me askënd prej LDK-së për çështje të Qeverisë e aq më pak për ndërrimin e Kryeministrit Haradinaj. Ne jemi udhëheqës të koalicionit qeverisës dhe besimin që ia kemi dhënë Haradinajt për ta udhëhequr Qeverinë aktuale do ta mbajmë deri në fund të mandatit, në pajtim me programin qeverisës dhe marrëveshjen e koalicionit”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka pretenduar se partia e tij ka marrë një ofertë nga Partia Demokratike e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë.

Haziri ka thënë  se partia e Kadri Veselit i ka ofruar partisë së Isa Mustafës bashkëpunim për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj. /Telegrafi/