Site icon Telegrafi

Krasniqi, futbollistëve të Prishtinës: Hapni sytë!

Bardhekaltrit kanë mundur të jenë më lart. Edhe vetë prishtinasit pranojnë se kanë mundur të fitojnë më shumë pikë, derisa premtojnë këndellje të shpejtë

FC Prishtina po kalon nëpër një krizë të rezultateve dhe assesi nuk po arrin te fitorja. Kjo ka bërë që prishtinasit të pozicionohet në vendin e parafundit të tabelës.

Është e vërtetë se kjo skuadër sezonin e ri e ka nisur pa disa lojtarë kryesorë dhe me ndryshime në përbërje. Ka marrë lojtarë të rinj e të talentuar, por pa përvojë të duhur dhe komponimi sigurisht se kërkon kohë. Por, kjo nuk e arsyeton bilancin e tepërt negativ, shkruan Zëri.

Bardhekaltrit të dielën e lëshuan nga duart fitoren në duel me Lirinë. Kaluan në epërsi prej 1:0 qysh në minutën e 30-të. Por, këtë avantazh të hershëm nuk ditën ta shfrytëzojnë, duke lëshuar raste tjera të mira shënimi dhe krejt në fund e pësuan golin e barazimit.

Paniku në skuadër, thuajse i panevojshëm, tashmë është evident. Sigurisht, atë do të duhej ta luftonin anëtarët e shtabit teknik, por përgjegjësi e madhe i takon edhe liderit të ekipit në fushë, kapitenit. Pavarësisht kësaj, Driton Krasniqi mohon që ekipi të jetë në panik.

“Është ende herët, kanë shkuar vetëm nëntë xhiro. Ne kemi bërë shumë ndryshime në ekip, ku kanë shkuar dhe kanë ardhur disa lojtarë. Kemi ekip më të ri dhe me më pak përvojë, përjashto 2-3 lojtarë”, thotë për “Zërin” kapiteni i prishtinasve.

“Mendoj se gjatë kësaj periudhe kemi merituar më shumë pikë. Tash e tutje deri në fund të pjesës së parë të sezonit do të mundohemi t’i rikuperojmë pikët e humbura. Duhet ta japim më shumë se maksimumin, për ta bërë këtë”, deklaroi Krasniqi.

Madje, ai është optimist se Prishtina do ta mbyllë sezonin me trofe. “Në vjeshtë do të mundohemi të shkojmë sa më lart e gjatë dimrit besoj se Kryesia e klubit do t’i sjellë 3-4 përforcime cilësore, në mënyrë që në pranverë t’i ndjekim objektivat”, thekson Krasniqi.

“Kampionati është mjaft i nivelizuar, prandaj nuk kemi hequr ende dorë nga titulli”, përfundoi ai.
 

Exit mobile version