Site icon Telegrafi

Krasniqi falënderon Shqipërinë për Rezolutën kundër raportit të Dick Martyt, fton institucionet e Kosovës ta ndjekin këtë rrugë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur mirënjohje për shtetin shqiptar dhe kryeministrin Edi Rama për adresimin e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me kërkesë për të rishikuar rezolutën e KiE-së që merr për bazë raportin e Dick Martyt.

Kreu i PDK-së tha se ky është hapi i parë në rrugën drejt konfirmimit të së vërtetës, të drejtës e drejtësisë.

Lexo po ashtu Shqipëria dorëzon në Këshillin e Evropës rezolutën kundër raportit të Dick Martyt

“Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj shtetit shqiptar, që tashmë edhe zyrtarisht është vënë në mbrojtje të së vërtetës së luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta çliruar këtë të vërtetë nga pretendimet e fabrikuara e të pabaza kundër lirisë dhe pavarësisë sonë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Lideri i opozitës ftoi institucionet e Kosovës që t’i përgjigjen këtij rrugëtimi dhe të angazhohen në lobimin e miqve ndërkombëtarë, veçanërisht në Këshillin e Evropës, duke trokitur në çdo derë ku është e nevojshme, sepse siç tha ai, “e vërteta i duhet në radhë të parë shtetit të Kosovës, për ta hequr përgjithmonë perden e imazhit të rëndë që ka hedhur mbi UÇK-në, raporti fantom i Dick Martyt”.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga KF Gjilani

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur kauzë të qartë dhe mision të shenjtë: lirinë e popullit të Kosovës. Asgjë nuk e zhbën e s’do të mund ta zhbëjë të vërtetën e kësaj kauze dhe këtij misioni. Mirënjohës dhe tejet falënderues ndaj Kryeministrit Rama për angazhimin e tij konkret në këtë rrugëtim për të vërtetën dhe të drejtën tonë”, shtoi tutje Krasniqi. /Telegrafi/

Exit mobile version