Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim Presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka shkruar se e ka vlerësuar lartë kontributin e Metës “lidhur me unifikimin politik dhe qytetar për çështjet me ndikim për dy shtetet tona që nga koha e luftës çlirimtare, e deri në ditët e sotme”.
“Kënaqësi e veçantë ta mirëpresim në selinë tonë, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, për të vlerësuar lartë kontributin e tij lidhur me unifikimin politik dhe qytetar për çështjet me ndikim për dy shtetet tona që nga koha e luftës çlirimtare, e deri në ditët e sotme”, ka shkruar ai.
“Në përfundim të mandatit të tij, shpreh falënderimet e mia dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, për angazhimin e tij të vazhdueshëm për kultivimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës”.
Dy ditë para se zyrtarisht të dorëzojë postin e kryetarit të shtetit, Ilir Meta erdhi në Kosovë, ku u shpall qytetar nderi i Komunës së Prishtinës.
Gjatë vizitës së tij, ai u takua me krerët e institucioneve të shtetit dhe mbajti një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës./Telegrafi/