Ky Fondacion ka për qëllim që të përkrahë shtete të ndryshme në fushën e sportit shkollor. Ndihma orientohet kryesisht në shkolla, ku si donacione jepen pajisjeve të ndryshme sportive.
Ambasadori Everts ka njoftuar ministrin se në Kosovë ky fondacion ka mbështetur tri shkolla, gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë dhe shkollën fillore “Emin Duraku” në Shtime.
Ministri Krasniqi e falënderoi ish-ambasadorin Everts për ndihmën dhe kontributin e fondacionit SfC. Ai e çmoi angazhimin e mikut të Kosovës, Dan Everts, dhe shprehu kënaqësinë për këtë ndihmë bërë për sportin shkollor. Po ashtu ai e ka informuar ish-ambasadorin për punën dhe arritjet që janë bërë në fushën e kulturës, rinisë e me theks në sport. Ministri shtoi se Kosova po punon që të përmirësojë dukshëm infrastrukturën në sport, si dhe gjithë legjislacionin për ta harmonizuar atë me praktikat më të mira ndërkombëtare. Kosova, tha ministri, ka shumë talentë të rinj dhe kjo ndihmë për këto tri shkolla është një stimulim për ta që të merren edhe më shumë me sport.
“Qeveria e Kosovës në prioritetet e saja për sportin ka atë shkollor, që kësisoj të ndihmojë në masivizim dhe nxjerrjen e talentëve të rinj ngase sporti është mjet i fortë për paqe dhe bashkim”, ka thënë ministri Krasniqi.
Ndërkaq, ish-ambasadori Everts, tha se ndjehet i kënaqur që gjendet prapë në Kosovë dhe po sheh ndryshime progresive. Ai ka vlerësuar angazhimet që po bëhen në Kosovë për avancimin, në këtë rast edhe të sportit shkollor. Everts konsideroi se “puna me brezat e rinj që të merren me sport do të thotë shumë për Kosovën, kështu që në të ardhmen vendi të prezantohet me sa më shumë cilësi në garat dhe ngjarjet e ndryshme botërore sportive”.
Ministri dhe ambasadori Everts u pajtuan që bashkëpunimi të vazhdojë në të ardhmen në të mirë të avancimit të sportit shkollor dhe përmes këtij të bëhet nxitja e të rinjve që të merren më sport dhe të punohet me përkushtim edhe më të madh. /KP/Telegrafi/