Site icon Telegrafi

Krasniqi fajëson Kurtin për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë: Po e bën qëllimisht

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë, që ishte paraparë të ndodhte gjatë këtij viti, është shtyrë tani për në prill të vitit të ardhshëm.

Kjo ka sjellë një valë reagimesh nga aktorë të ndryshëm politikë, duke përfshirë edhe akuzat për përfshirje politike dhe shkelje të ligjit.

Memli Krasniqi, lideri i PDK-së ka shprehur pakënaqësinë e tij, duke akuzuar direkt kryeministrin Albin Kurti, për vonesat e qëllimshme të procesit.

“Pavarësisht paralajmërimeve të hershme se regjistrimi nuk do të kryhet këtë vit, tashmë është e qartë se kjo shtyrje ishte një manovër e vetë kryeministrit Kurti,” shkroi Krasniqi.

Shtyrjen e regjistrimit për të tretën herë, Krasniqi e ka konsideruar si  inkompetencë, shkelje të ligjit, interferenca politike dhe maskimin e të dhënave reale, të cilat sipas tij janë bërë pjesë e Qeverisë aktuale dhe të procesit të regjistrimit që nga fillimi.

Ndërkohë, Kurti ka deklaruar se ka marrë garanci nga drejtuesit e rinj të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për përfundimin e procesit të regjistrimit brenda periudhës nga 5 prilli deri më 17 maj të vitit 2024.

Ai gjithashtu ka atribuar vonesën e regjistrimit të popullsisë në marrjen e detyrës nga menaxhmenti i mëparshëm i ASK-së./Telegrafi/

Exit mobile version