Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës tha se ende nuk kanë raport dhe informacion zyrtar lidhur me rastin e arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq.
Krasniqi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se asnjëri nuk mund të jetë indiferent se si ka ndodhur aksioni i arrestimit dhe deportimit të turqve, si dhe shpejtësia e kryerjes së këtij aksioni.
“Asnjë prej nesh nuk kemi raport dhe informacion zyrtar për këtë veprim. Asnjë nuk mund të jemi indiferent si ka ndodhur aksioni…”, tha Krasniqi.
Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës në thelb ka respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, respektimin e dinjitetit dhe ky rast sipas tij nuk mund të kalojë pa përgjegjësi të adresuar saktësisht.
Shefi i GP-së të PDK-së tha se është shqetësuese mos informimi i liderëve. Krasniqi më tej shtoi se bartësit më të lartë institucional duhet të jenë të informuar.
Deputeti Krasniqi tha se duhet siguruar që një rast i tillë të mos përsëritet kurrë. /Telegrafi/