Telegrafi

Krasniqi e vlerëson si vit të suksesshëm 2008-ën

“Të arriturat kryesore padyshim kanë qenë shpallja e pavarësisë, miratimi i simboleve të shtetit dhe i Kushtetutës, formimi i institucioneve përkatëse kushtetuese, njohja e Republikës së Kosovës nga 53 shtete anëtare të OKB-së dhe promovimi i shtetit demokratik të Kosovës” tha Krasniqi.

Përbërja aktuale e Kuvendit me 17 shkurt shpalli pavarësinë e Kosovës. Me 9 prill ka miratuar Kushtetutën, ndërsa gjatë vitit janë miratuar 91 ligje, 52 prej të cilëve janë nga pakoja Ahtisaari.

Kryeparlamentari fokusoi edhe bashkëpunimin me institucionet tjera, sidomos: kryetarin dhe kryeministrin si dhe mbikëqyrjen që ka zhvilluar legjislativi ndaj institucioneve tjera.

Sidoqoftë, Parlamenti ka qenë edhe shënjestër kritikash, përfshirë edhe ato si nga opozita ashtu edhe shoqëria civile, sidomos për mos reagimin e duhur ndaj gjendjes në veri të vendit, ku nuk zbatohet ligjet e miratuara nga Kuvendi. Krasniqi pranoi se çdo institucion përfshirë Kuvendin ka përgjegjësitë e veta për çdo pjesë të Kosovës megjithatë.

“Por përgjegjësia jonë është përgjegjësi për të bërë ligje për të vendos kontroll mbi institucionet që i zgjedh parlamenti. Këtu duhet të bëjmë dallim se është diçka ekzekutive. Ne nuk duam që të ketë përzierje as në legjislativ as në ekzekutiv por secila pjesë t’i kryejë përgjegjësitë e tyre përpara qytetarëve”, tha Krasniqi.

Në fundvit kryeparlamentari përmendi edhe vizitat që kanë pasur si përfaqësues të një shteti të pavarur deputetët dhe drejtuesit jashtë vendit, si dhe personalitetet e rëndësishme si: sekretari i jashtëm britanik David Miliband, ish ndërmjetësi për Ballkanin ambasadori Richard Holbrooke, kryetari i dhomës së përfaqësuesve belg Herman Van Rompuj si dhe përfaqësues të tjerë të lartë ndërkombëtarë dhe të institucioneve të Kosovës. /rtk/