Liderët e partive në opozitë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi dhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj kanë përkujtuar 25 vjetorin e masakrës në Likoshan dhe në Qirez të Drenicës.
Krasniqi përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se janë bërë 25 vjet nga beteja e Likoshanit dhe Qirezit, ku forcat policore e paramilitare serbe kanë kryer një nga masakrat më të tmerrshme në rajonin e Drenicës, duke vrarë në mënyrë barbare burra, gra e pleq të paarmatosur.
“Sot, me kolegë e bashkëpunëtorë nga Partia Demokratike e Kosovës, bëmë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve të Likoshanit dhe Çirezit, për të nderuar sakrificën dhe flijimin e atyre që ranë heroikisht, që ne ta gëzojmë jetën në Kosovën e lirë”, ka shkruar Krasniqi.
Ndërsa Haradinaj ka thënë se kjo masakër ka ndodhur si hakmarrje për humbjet e mëdha të armikut nga UÇK-ja.
“Më 28 shkurt 1998, të nxitur nga humbjet e mëdha që pësuan nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Likoshan e Qirez, forcat serbe u hakmorrën duke vrarë barbarisht gra, pleq, fëmijë e të rinj të paarmatosur”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se kjo masakër nxiti edhe më shumë rezistencën dhe mobilizoi edhe më shumë shqiptarët për luftë ndaj armikut deri në çlirim
“Kjo masakër nga policia dhe ushtria serbe shënon fillimin e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës, spastrimin etnik si dhe djegien dhe shkatërrimit të pasurisë së tyre. Masakra e Likoshanit dhe Qirezit nxiti edhe më shumë rezistencën dhe mobilizoi edhe më shumë shqiptarët për luftë ndaj armikut deri në çlirim. Nderim përjetë të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, ka përfunduar Haradinaj. /Telegrafi/