Telegrafi

Krasniqi e FBOXK-ja nuk shohin gjë të mirë nga boksi profesionist në Olimpiadë

Ka shumë gjëra të paqarta lidhur me mundësinë e pjesëmarrjes së boksierëve profesionistë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Por ideja që profesionistët të boksojnë për herë të parë në Lojëra Olimpike ka hapur debat të gjerë në mesin e boksierëve.

Një pjesë janë pro propozimit të presidentit të AIBA-s, Ching-Kuo Wu, ndërsa një pjesë e boksierëve janë kundër, kërkojnë që në Lojëra Olimpike të ruhet statusi amator i boksit, shkruan Koha Ditore.

Në debat është përfshirë edhe Luan Krasniqi, boksieri më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave. Krasniqi në boksin amator ka fituar një titull të Evropës, një medalje të argjendtë botërore dhe një medalje të bronztë olimpike në “Atlanta 1996”.

Këto suksese i arriti duke e përfaqësuar Gjermaninë dhe në kategorinë më të famshme, atë të rëndë. Krasniqi, tani 44-vjeçar, ka pasur suksese të mëdha edhe në profesionalizëm. Ka luftuar për titull të botës në kategorinë e rëndë, ndërsa ka mbajtur titullin e Evropës.