Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se sot shënojmë përvjetorin e 33-të të shpalljes së një prej akteve politiko-juridike më të rëndësishme në historinë e vendit tonë – Deklaratës Kushtetuese për Kosovën.
Krasniqi ka shtuar se sot Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut ishte shprehje e aspiratave të popullit tonë për liri, demokraci dhe pavarësi.
“Sot nderojmë të gjithë delegatët e guximshëm të popullit të Kosovës, të cilët me këtë deklaratë e shpallën Kosovën njësi të pavarur dhe të barabartë me të gjitha Republikat tjera të ish-Jugosllavisë, ndonëse ndërtesa e Kuvendit ku ata ishin mbledhur, ishte e rrethuar nga policia serbe.
Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut ishte shprehje e aspiratave të popullit tonë për liri, demokraci dhe pavarësi, e cila i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut, si dhe proceseve tjera në një rrugë të gjatë e plot sakrifica, që kulmoi me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran”, ka thënë Krasniqi.
Ndryshe, sot janë bërë 33 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut. Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. /Telegrafi/