Site icon Telegrafi

Krasniqi: “Ballkani i Hapur” projekt politik, Kosova nuk mund t’i mbyllë sytë ndaj konfliktit të ngrirë me Serbinë

Foto: Arkiv

Edhe nëse “Ballkani i Hapur” zgjerohet me shtete të tjera të rajonit, kjo nuk duhet të ndikojë në vendimin e Kosovës për të mos u bërë pjesë e kësaj nisme, ka vlerësuar kështu kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Ai ka thënë se “Ballkani i Hapur” nuk e ofron platformën në të cilën Kosova do të kishte sigurinë që do të trajtohej në mënyrë të drejtë. Krasniqi ka deklaruar që çdo shtet duhet t’i shoh interesat e veta duke shtuar se në Kosovë ekziston një konsensus për mos përfshirje në këtë nismë.

Kryetari i PDK-së, ka thënë se “Ballkani i Hapur” është projekt politik përtej një projekti ekonomik, andaj sipas tij Kosova nuk mund t’i mbyllë sytë ndaj faktit që ekziston një konflikt i ngrirë me Serbinë.

Pasi janë rritur gjasat që edhe Mali i Zi t’i bashkohet kësaj nisme, Krasniqi ka thënë se vendime të tilla të shteteve të rajonit nuk duhet të ndikojnë Kosovën.

“Edhe origjina e “Ballkanit të Hapur” për ne është problematike, ne nuk mund me aq lehtësi të ulemi në tavolinë e të konsiderohemi si të barabartë në një projekt ku nuk kemi qenë që nga gjeneza e tij, edhe kjo është arsye që besoj që në skenën politike të Kosovës ka pothuajse një konsensus që nuk e mbështet përfshirjen e Kosovës në “Ballkanin e Hapur”. E kuptoj që po të mbesim të vetmit do të duket një situatë problematike por në fund të fundit interesat e shtetit tonë janë më të rëndësishme dhe ne ato duhet t’i kemi në qendër të vendimmarrjes dhe politik bërjes tonë. Kështu që veprimet që mund t’i merr ndonjë shtet në rajon nuk duhet doemos ta ndikojnë vendimin e Kosovës për këtë projekt ku asgjë nuk ka ndryshuar andaj qëndrimet që kemi pasur në fillim nuk mund të ndryshojnë tash, megjithëse faktet mbesin të njëjta”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se mbështesin çdo gjë që është brenda procesit të Berlinit.

“Çkado që është brenda procesit të Berlinit qoftë edhe përmes një, po e quaj kushtimisht, ringjalljeje të këtij procesi, ne do të ishim të gatshëm me diskutu dhe me i pa modalitet e përfshirjes së Kosovës, por “Ballkani i Hapur” besoj që për Kosovën tashmë është e qartë që nuk ofron platformën ku ne mund ta kemi sigurinë e mjaftueshme se do të trajtohemi në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”, ka thënë ai. /KP/Telegrafi/

Exit mobile version