Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, tha para deputetëve se koalicioni LVV-LDK është i pazareve të pista që synon ta bëjë kryeministër Albin Kurtin, I cili siç tha Krasniqi, krejt karrierën e vet politike e ka ndërtuar me mashtrime, manipulime dhe dhunë.
“Ai i sakrifikoi ata edhe kur i nxori në rrugë duke i gënjyer se Kosova kurrë s’do të bëhet shtet, por edhe kur i nxiste për të sulmuar institucionet e shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Sot, pak më butë, i sakrifikon për t’u bërë Kryeministër, si puna e njeriut më të afërt të tij, Kurban Konjufcës. Sepse, për Albin Kurtin, asnjë çmim nuk është i lartë, nëse atij ia mundëson kapjen e pushtetit, për të cilin ka ëndërruar e ka vepruar me metodat më të pista tash e gati 15 vjet”, tha Krasniqi.
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi tha se ironia e madhe këtu është se paterica e Albin Kurtit që po e bën atë kryeministër sot është një parti (LDK) të cilën ai vet e luftoi në të gjitha mënyrat e mundshme.
Ai tha se koalicioni VV-LDK është i panatyrshëm i një partie të ekstremit të majtë me një parti që e quan vetën të qendrës së djathtë.
“Sot, juve vërtetë ju erdh dita, por Kosovës i erdhi nata. Sepse dita e juaj është nata e Kosovës. Drita e juaj është terri i Kosovës. Ëndrra e juaj është makthi i Kosovës. Ju do ta kapni pushtetin prej sot, por dijeni se në asnjë minut nuk do të jeni të qetë që të veproni pa dhënë llogari për çdo veprim tuajin. Opozita e këtij mandati do të jetë jo vetëm kontrolluesi, por edhe korrektuesi i juaj. Zoti e bekoftë Kosovën tonë dhe qytetarët e saj e për hajr na qoftë kjo dasmë”, tha Krasniqi. /Telegrafi/