Site icon Telegrafi

Krasniqi akuzon Kurtin se ka bërë marrëveshje të fshehtë me Vuçiqin për heqjen e barrikadave

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka bërë marrëveshje të fshehtë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq për largimin e barrikadave në veri.

Në konferencë për medie të enjten, lideri opozitar tha se papjekuria e Kurtit e ka sjell Kosovën në një situatë të turpshme, ku Vuçiq vendos se çka do të ndodh në territorin e Kosovës.

“Ajo çka është evidente tashmë është fakti se papjekuria totale e kryeministrit Kurti, qasja e gabuar në raport edhe me partnerët ndërkombëtar, por mbi të gjitha papërgjegjësia e tij për të ushtruar obligimet kushtetuese dhe ligjore që ka kanë sjell një situatë të turpshme për vendin tonë, ku presidenti serb nga Rashka na tregon si dhe çka do të ndodh në territorin e Kosovës në veri. Kjo është e pashembullt që s’ka ndodhur kurrë më herët në historinë e Kosovës… Është tashmë evidente që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pasur marrëveshje të fshehtë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për heqjen e barrikadave, duke u pajtuar me lirimin e të akuzuarit për terrorizëm, Pantiq, por përveç tij kanë liruar edhe serbët të tjerë, siç ishte rasti i Nedelkoviq që e kanë liruar dje. Tentimi me i ikë kësaj përgjegjësie, duke tentuar të linçojë prokurorët dhe gjykatësit është tentim i dështuar”, tha ai.

Në përmbyllje të vitit 2022, Krasniqi tha se në këtë vit Kosova ka kaluar një prej momenteve më të brishta prej se është shpallur shtet sovran.

“Nuk ofron asnjë të ardhme për Kosovën dhe shoqërinë. Duke mos pasur të ardhme ka filluar të tërheq krejt Kosovën, qytetarët tanë në gjendje depresioni kolektiv dhe degradimi shtetëror…Kosova është duke kaluar një prej momenteve më të brishta prej se është shpallur shtet i pavarur dhe sovran. Padyshim edhe një moment të brishtë dhe paprecedentë në 23 vitet e ekzistencës tonë si vend i lirë”, theksoi Krasniqi.

Ai renditi një sërë kritikash, siç tha për dështimin në politikën e jashtme.

“Në sinkron me presidenten, kryeministrin dhe ministren përkatëse, shteti ynë ka abstenuar nga politika e jashtme, duke e humbur shansin për të shfrytëzuar rrethanat e krijuara në fillim të vitit, për ta avancuar agjendën tonë shtetërore”, shtoi ai.

Ndërkaq tha se Qeveria e Kosovës ka dështuar edhe në dikasterin e shëndetësisë, arsimit dhe drejtësisë.

Krasniqi potencoi se në momentin që opozita i bënë 61 vota, ai do të nis mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

“Momentin e parë që kemi një shenjë që mund t’i bëjmë 61 vota, unë do të nisi mocionin e mosbesimit. Ky është shërbimi më i madh që mundem me i bërë këtij vendi, me përfundu qeverisjen e Albin Kurtit sa më herët. Por fatkeqësisht në kuptimin formal parlamentar është e pamundshme”, tha ai.

Krasniqi tha se një ndër fenomenet më tragjike të këtij viti ishte edhe largimi masiv i të rinjve nga Kosova.

Exit mobile version