Site icon Telegrafi

Krasniqi me akuza ndaj Qeverisë Kurti pas publikimit të Raportit të Progresit për Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër pas publikimit të raportit të përvitshëm të Bashkimit Evropian për Kosovën, i cili sipas tij, vlerësohet si më negativi që vendi ka marrë ndonjëherë.

Krasniqi tha se Raporti i BE-së për Kosovën për vitin 2024, i dorëzuar qeverisë dhe i publikuar sot, tregon një përkeqësim në disa fusha kryesore.

Mesazhet kryesore që vijnë nga raporti janë të qarta dhe alarmuese:

Kosova mbetet nën sanksione;

Kosova po keq-qeveriset;

Kosova po e humb progresin në të drejtat dhe liritë e njeriut, lirinë e shprehjes dhe të mediave, si dhe në fushën e drejtësisë.

Sipas Krasniqit, tre shtyllat themelore të një shteti demokratik – qeverisja, drejtësia dhe liritë themelore – janë në një gjendje stagnimi ose regresi të thellë.

Ai theksoi se këto dështime janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë aktuale të Kosovës, për të cilat PDK-ja ka ngritur zërin vazhdimisht gjatë katër viteve të fundit.

Krasniqi akuzoi qeverinë se këto dështime nuk janë vetëm pasojë e paaftësisë apo mungesës së kompetencës, por se përbëjnë veprime të qëllimshme për të ruajtur pushtetin.

Ai e quajti këtë “sabotim” të zhvillimit dhe integrimit të Kosovës.

Raporti, sipas Krasniqit, duhet të jetë një thirrje alarmi për të gjithë qytetarët.

Krasniqi theksoi se 9 shkurti, data e zgjedhjeve, po afrohet, dhe me të edhe fundi i kësaj qeverie.

“Qytetarët tanë meritojnë më mirë dhe më shumë. Meritojnë një qeveri të përgjegjshme që do ta rikthejë Kosovën në drejtimin e duhur. Tjetër alternativë nuk ka!”/Telegrafi/

Exit mobile version