Site icon Telegrafi

Krasniqi: 43 milionë euro iu ndan fermerëve gjatë këtij viti

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi në konferencën e fundit për këtë vit ka folur për zhvillimet në sektorin e bujqësisë gjatë vitit 2015 dhe programin për vitin 2016, ku tha se për herë të parë në Kosovë do të krijohet fondi për mbështetjen e fermerëve nga fatkeqësitë natyrore me 500 mijë euro.

Ai tha se ky vit ka qenë i suksesshëm me një buxhet dyfish më të madh se sa vitet e kaluara në bujqësi, me të cilin janë mbështetur fermerët në shumë sektor të ndryshëm të bujqësisë.

Krasniqi tha se grante kanë përfituar 390 fermerë, kurse subvencione kanë përfituar 36 mijë prej tyre. “Janë 43 milionë euro të cilat gjatë vitit 2015 janë ndarë për fermerët e Kosovës të bazuara në programin për bujqësi dhe zhvillim rural si dhe programin për pagesa direkte nga të cilat 23 milionë euro kanë qenë të planifikuara për pagesa direkte, subvencione dhe 20 milionë euro për grante investive. Në anën tjetër ne gjatë këtij vitit kemi vazhduar punën edhe në aspektin e avancimit të legjislacionit në bujqësi”, tha Krasniqi.

Si sukses tjetër të këtij vitit Krasniqi e sheh edhe interesimin e të rinjve dhe të rejave për t’u marrë me bujqësi, si një mundësi e mirë për afarizëm.
“Çka na inkurajon neve shumë, është fakti që janë të rinjtë dhe të rejat që po e shohin bujqësinë si një mundësi të mirë afarizmi, gjë që pa dyshim pastaj mund të konsiderohet si një mundësi e madhe dhe një kapacitet absorbues i madh për bujqësinë që neve normalisht na obligon që të vazhdojmë të ardhmen me mbështetjen e madhe për bujqësinë. Janë 390 ferma dhe agrobiznese të cilat kanë përfituar grante për prodhim, përpunim, si dhe masa të ujitjes”, tha ministri Krasniqi.

Krasniqi pret që viti 2016 të jetë vit sfidues, por në anën tjetër beson se do të jetë edhe më i favorshëm për bujqësi. “Do të jetë një vit sfidues pa dyshim, ne do të kemi një program më të avancuar besoi për sa i përket programit për bujqësi dhe zhvillim rural, programin për aplikim për grante dhe programi për pagesa direkte. Tashmë është në finalizim e sipër ne besojmë që në ditët e parë të janarit edhe formalisht ftesa për aplikime që do të jetë më herët se në vitin e kaluar. Ne subvencione do të ketë risi, ku për jerm të parë do të fillojmë më subvencionim të kulturave të reja siç janë thekra, elbi, arra, lajthia”, tha Krasniqi.

Ndërsa, në vitin 2015 Kosova ka pasur 84 mijë hektarë me grurë me rendimente prej 300 mijë tonë dhe 75 për qind të mbulimit të kërkesave të konsumit vendor. Po ashtu është bërë edhe finalizimi i projekt ligjit për pyjet. Në vitin 2015 janë pyllëzuar 400 hektarë. /Telegrafi/

Exit mobile version