Kosova duhet të lirohet nga obsesioni për dialogun me Serbinë dhe këtë proces ta konsiderojë si një punë normale, thotë kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK), Mehmet Kraja.
Sipas tij, dialogu duhet të ketë rëndësi për Kosovën, por jo të bëhet faktor dominues në politikën e Kosovës. Në një intervistë për KosovaPress, kreu i AShAK flet edhe për Asociacionin dhe Gjykatën Speciale.
Profesori Kraja vlerëson se procesi i dialogut me Serbinë shoqërohet nga një mungesë transparence. Sipas tij, në marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë ka gjëra që e dëmtojnë sovranitetin e Kosovës.
“Në këto marrëveshje ka gjëra të cilat e dëmtojnë sovranitetin dhe integritetin territorial siç janë marrëveshja për Asociacionin, marrëveshje të tjera një pas një që janë nënshkruar, është një dokument, një përmbledhje dokumentesh, një përmbledhje marrëveshjesh të cilat po i lexuam me kujdes shohim se kemi qenë jo shumë seriozë në këtë punë, nuk merret vesh gjë se kush i ka bërë kështu, nuk kuptohet gjë se pse janë bërë në këtë formë, nuk kuptohet se kush me kënd dialogon dhe kush me kënd nënshkruan marrëveshje, palët nuk janë zyrtare në asnjërën anë”, thotë Kraja.
Sipas tij, një dëm i madh është shkaktuar si pasojë e mungesës së ekspertëve të përfshirë në këtë proces.
“Ka munguar transparenca, ka munduar ajo që unë konsideroj ndoshta dëmin më të madh sepse ekipet, ne kemi kërkuar kur janë botuar këto dokumente ishte i pranishëm këtu edhe kryeministri i atëhershëm, u kërkua këtu në akademi që qeveria të formojë grupe ekspertësh për fusha të caktuara, u premtua që po dhe doli jo, dhe përsëri ato grupe të ekspertëve nuk janë formuar as sot e kësaj dite dhe ende transparenca po ashtu mungon si nga fillimi”, thotë Kraja.
Megjithatë, Kraja thotë se bashkësisë ndërkombëtare duhet t’i bëhet e qartë që Kosova është palë e dëmtuar nga lufta dhe asnjëherë të mos lejohet barazimi i viktimës me agresorin.
Ai thotë se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës duhet të mbetën të pacenueshme derisa shton se Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe duhet të bëhet vetëm sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Natyrisht që ne e dimë se, as komuniteti serb në Kosovë, as Serbia, nuk janë të interesuara të bëjnë një Asociacion pa kompetenca ekzekutive, dhe në këtë pikë, Kosova mund të dalë publikisht që të kërkojë të bëhet Asociacioni por të bëhet sipas zgjidhjeve kushtetuese dhe këtë në një mënyrë e ka kërkuar edhe faktori politik në Kosovë. Presioni i Bashkimit Evropian, i lehtësuesve të negociatave, Lajçak dhe Borrell, kanë përfunduar në një problem i cili realisht është i shpifur, sepse Kosova nuk mund të ndryshojë kushtetutën për shkak të Asociacionit pa e ndryshuar Serbia po të njëjtën kohë kushtetutën në të cilën Kosovën e ka pjesë të Serbisë, e ka në preambulë e ka pjesë të Serbisë, nëse Serbia e ndryshon kushtetutën e saj njeh sovranitetin e saj edhe integritetin e saj territorial, asnjë problem nuk ka që Kosova të formojë çfarëdo Asociacioni”, thotë Kraja.
Kraja thotë se Serbia po synon minimin e sistemit juridik dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Ajo që unë mendoj që duhet të ndodh në këtë dialog është që njëherë e mirë Kosova të lirohet nga obsesioni i tij, ta konsiderojë një punë normale nëse edhe palët e tjera e konsiderojnë si punë normale, të mos e konsiderojë si punë pa të cilën nuk lind dielli nesër, lind dielli edhe pa dialogun me Serbinë, edhe pa marrëveshje me Serbinë. Kosova ka shpallur pavarësinë dhe ajo duhet të ndjekë me konsekuencë këtë fakt, pavarësinë dhe duhet të ndjekë konsolidimin e shtetit, kjo është shumë e rëndësishme. Nuk them që nuk është e rëndësishme të kemi një marrëveshje me Serbinë, të kemi një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët, por jo deri në atë shkallë sa ne realisht të mos mundemi të ngremë kokën sepse e kemi të pranishme Serbinë dhe dialogun me Serbinë e kemi bërë një faktor dominues në politikën e Kosovës, nuk është dhe nuk mund të jetë”, thotë kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja ndër të tjera thotë se Gjykata Speciale nuk është e drejtë, por thekson se Kuvendi Kosovës është ai që e ka formuar dhe vendosë nëse do ta zhbëjë atë.
“Unë si kryetar por edhe Akademia në përgjithësi ka shprehur mendimet e saj për Gjykatën Speciale duke thënë që nuk është e drejtë, kemi thënë që nuk është e drejtë, që ajo dëmton, vendosë atë raportin që thamë viktimë dhe agresor i barazon”, thotë Kraja.
Mehmet Kraja është rizgjedhur kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar./kp/