Telegrafi

Kraja: Edi Rama u soll në mënyrë të papërshtatshme, në Pejë shpalli Serbinë partner strategjik

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Mehmet Kraja, foli rreth marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, në prag të takimit të dy qeverive që pritet të mbahet nesër.

Kraja në Klan Kosova tha se takimi i dy qeverive në Pejë ka qenë i shëmtuar.

Sipas tij, marrëdhëniet mes dy vendeve janë varur nga teket e një personi si është kryeministri i Shqipërisë.

“Dy fjalë për takimet pararendëse. Njërin nga takimet pararendëse ka qenë në Pejë, dhe ka qenë një nga takimet më të shëmtuara që kanë mundur ta bëjnë të dy qeveritë. Ajo për faj të kryeministrit të Shqipërisë kryesisht”.

“Sepse u soll në mënyrë të papërshtatshme, shpalli partner strategjik Serbinë, në Pejë e shpalli Serbinë mos e harroni këtë, pastaj tha edhe gjëra të tjera të papërshtatshme që që s’kam nevojë t’i përmend këtu. Këto marrëdhënie me Shqipërinë, janë varur nga teket e një individi siç është kryeministri i Shqipërisë”.

Kreu i ASHAK-ut theksoi se në raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë ka shumë marketing dhe propagandë.

“Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar disa çështje që duhet të zgjidhen në raportet e ndërvetshme. Ka pasur raste siç është takimi i Korçës, kur ndërhyrjet tona kanë qenë po aq jo normale. Në këto marrëdhënie ka shumë marketing. Dhe ajo është gjëja më e keqe ka shumë propagandë dhe ajo nuk shërben për asgjë”.

“Substanca ajo çka është unë e pashë për herë të parë sonte, janë të mira disa marrëveshje janë të skicuara. Ato marrëveshje duhet të zgjidhen. Bile kam menduar se ato marrëveshje edhe kanë përfunduar”, tha Kraja.