Krahu i Lëvizjes Besa, që udhëhiqet nga Bilall Kasami ka shpallur sot afatin për dorëzimin e kandidaturave për kryetar të kësaj partie politike, që do të zgjidhet në kongresin e 24 shkurtit.
Një kongres tashmë është mbajtur më 18 shkurt, nga grupi i Shkupit, ku për kryetar u zgjodh Afrim Gashi.
Në kongresin e 24 shkurtit do të marrin pjesë gjithsej 505 delegatë, ndërsa të drejtë për të konkurruar për kryetar të partisë e kanë të gjithë delegatët që do të mbledhin nënshkrimet e nevojshme.
“Për hir të transparencës të të gjithë këtij procesi, sot para jush shpallim të hapur edhe afatin për dorëzimin e kandidaturave për kryetar të partisë. Meqë dihet lista e delegatëve, ne i inkurajojmë të gjithë kandidatët që konform normave statutore të bëjnë grumbullimin e nënshkrimeve dhe të garojnë për postin e kryetarit të partisë. Çdo kandidat mund të konkurrojë duke grumbulluar së paku 1/10 e nënshkrimeve të delegatëve dhe të njëjtat t’i dorëzojë te Komisioni për organizimin e kongresit. Verifikimi i kandidaturave do të bëhet në ditën e kongresit nga ana e komisioneve përkatëse”,- deklaroi zëdhënësi i Lëvizjes Besa – krahu i Tetovës, Abdush Demiri.
Abdushi nuk dëshiroi të komentoj kongresin e 18 shkurtit të krahut tjetër të Lëvizjes Besa.
“Nuk komentojmë tubimet e subjekteve tjera. Jemi këtu për të rikonfirmuar qëndrimet e Lëvizjes Besa. Lëvizja Besa mund të ketë vetëm një kongres dhe ai është më 24 shkurt në Shkup”,- u shpreh zëdhënësi i lëvizjes Besa – Krahu i Tetovës, Abdush Demiri.
Demiri tha se pas mbarimit të kongresit të gjithë dokumentacionin në lidhje me të njëjtin do ta dorëzojnë në gjykatë./Telegrafi/