Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që fushata zgjedhore për partitë politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme të zgjasë 10 ditë.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se fushata zgjedhore do të nisë nga data 3 shkurt e do të zgjasë deri më 12 shkurt.
Gjithashtu, në mbledhjen e KQZ-së është vendosur që certifikimi i partive politike të fillojë nga data 8 janar deri më 21 janar. Kurse, tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotim do të mbahet më 1 shkurt 2021.
Ndërsa periudha e votimit me postë fillon nga 2 shkurti dhe përfundon 24 orë para mbajtjes së zgjedhjeve.
Ndryshe, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka shpërndarë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar që zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme të mbahen më 14 shkurt.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se “duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u.d. Presidentja, dr.Vjosa Osmani, ka marrë vendim të shpallë zgjedhjet dhe të caktojë 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme”. /Telegrafi/