Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 është planifikuar të bëhet më 7 janar të vitit të ardhshëm.
Në një konferencë për media, zëdhënësi në KQZ, Valmir Elezi tha se gjatë periudhës shtator e deri më 11 dhjetor të këtij viti kanë aplikuar 28 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
“Po besojmë që duke filluar nga java e ardhshme KQZ do të mund të fillojë me certifikimin e grupeve të ndryshme të subjekteve politike varësisht edhe nga përgjigjet që pranohen nga këto institucione. Sipas planit të aktiviteteve të KQZ-së tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim është planifikuar të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm më 7 janar. Por, deri atëherë do të kemi mundësi të diskutojmë”, tregoi Elezi.
Elezi potencoi se numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 1 mijë e 280 kandidatë.
Ai tregoi se Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë aplikuar secila me nga 110 kandidatë për deputetë. Po ashtu edhe koaliciconi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma – Nisma Socialdemokrate, Lista Konservatore, Forumi Intelektual – E – 30 kanë aplikuar me nga 110 kandidatë.
Ndërkaq, Lista Serbe me 48 kandidatë.
Ndër të tjera, Elezi tha se KQZ do të kërkojë nga institucionet kompetente të bëjë verifikimet e nevojshme për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Me qëllim të zbatimit të nenit 30 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme KQZ do të kërkojë nga institucionet kompetente të bëjë verifikimet e nevojshme për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje…KQZ tashmë veçse ka dërguar shkresa disa prej institucioneve të cilat kanë rolin e tyre në verifikimin e përshtatshmërisë apo aftësisë së kandidatëve për tu certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje…Në këtë nen, parashihet se nuk mund të certifikohet si kandidat një person i cili është dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv…
Gjithashtu, ky nen specifikon se kandidat nuk mund të certifikohet një person i cili është zyrtar i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa; me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it. Prandaj, kemi kërkuar nga PZAP-i të bëjë verifikimet në raport me këto kufizime ligjore”, tha Elezi.
Mbrëmjen e së mërkurës është përmbyllur periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025./kp/