Site icon Telegrafi

KQZ thotë se më 6 tetor votojnë vetëm ata që kanë dokumente të Kosovës, analistët e vlerësojnë vendimin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që në zgjedhjet e 6 tetorit mund të votojnë vetëm ata të cilët posedojnë dokumente identifikimi të Republikës së Kosovës. Anëtari i Listës Serbe në KQZ, Stevan Veselinoviq ka thënë se ky vendim është antiligjor.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka marrë vendim që në zgjedhjet e 6 tetorit të votojnë vetëm ata të cilët paraqiten me dokumente identifikimi të Republikës së Kosovës.

“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, neni 90 thotë se dokumentet e identifikimit të votuesve janë: Letërnjoftimi i vlefshëm, pasaporta valide, dokument i vlefshëm i udhëtimit, leje e vozitës e vlefshme e Kosovës. Në mënyrë që kjo të jetë edhe më e qartë KQZ ka qartësuar se dokumente të vlefshme për votim janë ato që lëshohen nga institucionet e Republikës së Kosovës”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Valmir Elezi.

Pasi ka bërë të ditur këtë vendim KQZ-ja, anëtari i Listës Serbe, Stevan Veselinoviq ka braktisur mbledhjen.  Sipas tij, ky vendim ishte antiligjor dhe ua pamundëson serbëve të votojnë dhe t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Analisti Shkelzen Maliqi ka thënë se në këtë formë po fryhen listat nga serbët që nuk jetojnë këtu dhe nuk janë të regjistruar.

“Duhet me qenë qytetarë të Republikës së Kosovës, sepse ndryshe po fryhen listat e votuesve sidomos të serbëve që nuk jetojnë këtu, dhe që nuk janë regjistruar fare. Ata kanë njëfarë dualizmi që edhe nuk e njohin republikën e Kosovës e duan të ndikojnë këtu në procese”, deklaroi analisti Shkëlzen Maliqi.

Lista Serbe ka bërë  ankesë në Panelin për ankesa dhe parashtresa për këtë çështje. Mirëpo,  PZAP në një përgjigje me shkrim ka thënë se ankesa është në fazën e shqyrtimit dhe nuk është vendosur ende./Telegrafi/

Exit mobile version