Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën certifikoi listën e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për procesin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Sipas kësaj liste numri i qytetarëve me të drejtë vote për këto zgjedhje është 2 milionë e 75 mijë e 868 votues.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës, është: 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, është 104 mijë e 924.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim për Telegrafin, ka sqaruar se pse numri i votuesve është më i madh se numri i banorëve.
Ai ka thënë se në listën e votuesve përfshihen edhe shtetasit e Kosovës me të drejtë vote brenda dhe jashtë vendit, ndërsa në regjistrimin e popullsisë kanë marrë pjesë vetëm banorët rezidentë.
“Lista Votuese dhe regjistrimi i popullsisë duhet të shikohen ndaras. Në regjistrimin e popullsisë janë të përfshirë vetëm banorët rezident të pranishëm në Kosovë në kohën kur është bërë regjistrimi, pra nuk përfshihen qytetarët që jetojnë jashtë vendit, ndërsa në Listën Votuese përfshihen shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë brenda dhe jashtë vendit”, ka thënë Elezi.
Sipas rezultateve përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë (ReKos 2024), numri i popullsisë rezidente në Kosovë të regjistruar është 1 milion e 602 mijë e 515.
Elezi gjithashtu ka bërë të ditur se nesër (e hëne), do të hidhet shorti për renditjen e subjekteve politike, të cilat janë certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Ju njoftoj se shorti për renditjen e subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të mbahet ditën e hënë, më 6 janar 2025, duke filluar prej orës 11:00”, ka thënë Elezi. /Telegrafi/