Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka njoftuar se kanë pranuar rekomandimin për certifikimin e kandidatëve për subjektet politike dhe kandidatët e tyre.
Daka në këtë mbledhje kërkoi informata shtesë lidhur me këtë çështje.
Yll Buleshkaj nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, tha se të gjitha subjektet i plotësojnë kushtet për certifikim, ndërsa tha se ka kandidat që mund të kenë probleme me ligjin, por nuk kanë mundur të verifikojnë a kanë me të vërtetë probleme.
“Të gjitha subjektet i plotësojnë kushtet, ka kandidat që mund të kenë probleme, por nuk kemi mundur të verifikojmë a kanë me të vërtetë probleme…”, tha Buleshkaj.
Mirëpo, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se ky rekomandim nuk e sqaron se cili kandidat i plotëson kriteret e cilët jo.
“Nuk e kemi të qartë se cilët kandidatë i plotësojnë kushtet e cilët jo. Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim është ajo që e bënë filtrimin dhe e dërgon rekomandim. Kërkesat i janë dërguar të gjitha institucioneve dhe pastaj është kërkuar nga subjektet politike që të zëvendësohen kandidatët që nuk i kanë plotësuar kriteret. Rekomandimin që e kemi sot nuk na shpjegon se a i përmbushin këta kandidatë kriteret e apo jo”, tha Daka.
Mbledhja e KQZ-së është duke vazhduar. /Telegrafi/