Telegrafi

KQZ-së i barten mjetet financiare për zgjedhjet në Podujevë

Komisionit Qendror Zgjedhor i janë alokuar mjetet financiare për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë.

Këto mjete financiare iu janë ndarë ashtu siç është marrë vendimi në Qeveri vetëm për mallra dhe shërbime, jo mëditje.

Këtë në mbledhjen e sotme të KQZ-së e tha kryeshefi ekzekutiv i SKQZ-së, Yll Buleshkaj, i cili shtoi se do të përpilojnë kërkesën e re karshi ekzekutivit për pagesën e orëve shtesë gjatë periudhës së zgjedhjeve në Podujevë.

“Sot na ka ardhur vendimi nga Qeveria për ndarjen e mjeteve për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve sipas kërkesës tonë buxhetore. I njëjti buxhet është alokuar dhe ne kemi filluar të gjitha procedurat e tenderimit menjëherë. Ky është një lajm i mirë në vazhdën e atyre lajmeve jo të mira. Ne si sekretariat jemi në përpilimin e kërkesës së re. Ajo do të përbëj mjetet që ne e konsiderojmë të nevojshme për kompensim për stafin në lidhje me orët shtesë gjatë kësaj periudhe”, tha ai.

Këtë alokim të mjeteve financiare e mirëpritet gjithë anëtarët e KQZ-së, raporton KP. KQZ gjatë mbledhjes votoi edhe raportin financiar të tyre për vitin 2019.