Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për numrin e saktë të fletëvotimeve që do të shtypen për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale.
Vendimi i KQZ-së mbështetët në listën përfundimtare të votuesve, sipas të cilës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit është: 1 milion e 885 mijë e 448 votues.
Për zgjedhjet për kryetarë të komunave do të shtypen 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, ndërsa për zgjedhjet për kuvende komunale do të shtypen po ashtu 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime. Pra, numri i përgjithshëm i fletëvotimeve që do të shtypen për dy llojet e zgjedhjeve të 17 tetorit është: 3 milion e 397 mijë e 200 fletëvotime.
Sipas vendimit të KQZ-së, i bie që do të shtypen 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se votues apo në përqindje 9,91 % dhe kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.
Në zgjedhjet e fundit, ato parlamentare që u mbajtën në muajin shkurt, KQZ-ja kishte shtypur rreth 178 mijë fletëvotime më pak se numri i votuesve. /Telegrafi/