Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të komunës së Skenderajt, Bekim Jashari se ka kërkuar nga drejtoret e shkollave që të mos ndalen kamerat nëpër klasë por një gjë e tillë është refuzuar nga KQZ.
Sipas KQZ, të gjitha objektet shkollore të cilat shndërrohen në Qendra të Votimit, menaxhohen dhe mbikëqyren nga KQZ dhe nuk menaxhohen dhe as nuk mbikëqyren nga komunat dhe kryetarët e tyre.
KQZ nëpërmjet një komunikate sqaron se në ditën e zgjedhjeve, të gjitha shkollat të cilat shndërrohen në Qendra të Votimit janë në kompetencë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Po ashtu, të gjitha objektet shkollore të cilat shndërrohen në Qendra të Votimit menaxhohen dhe mbikëqyren nga KQZ. Ato nuk menaxhohen dhe as nuk mbikëqyren nga komunat dhe kryetarët e tyre. Të gjitha rregullat për të gjitha Qendrat e Votimit gjithandej Republikës së Kosovës janë unfiorme dhe vlejnë njësoj për të gjitha, në të gjitha komunat. Këto rregulla kanë qenë të tilla edhe në proceset e kaluara zgjedhore dhe nuk kanë pësuar asnjë ndryshim”, thuhet në reagim.
Ndërkaq Jashari ka thënë se kamerat do të ishin në shërbim të ruajtjes së votës dhe votimit të rregullt demokratik, duke evituar çdo përpjekje për të deformuar vullnetin qytetar.
Sipas tij, prania e kamerave në klasa evidenton çdo parregullsi që mund të ndodhë gjatë procesit të votimit apo numërimit duke theksuar se nuk ka aspak të bëjë me shkelje të privatësisë sepse në kabinën e votimit aty ku voton qytetari nuk ka kamera dhe kështu votimi është i fshehur./Telegrafi/