Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet vjetore financuara pas përfundimit të procesit të auditimit nga auditorë, të cilët janë përzgjedhur nëpërmjet një konkursi të hapur publik nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP).
Raportet e audituara financiare të vitit 2022, të cilat u takojnë partive politike, janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së: Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për Subjekte Politike > Raportet Vjetore Financiare, ose në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbime-per-subjektet-politike/raportet-vjetore-financiare-te-audituara/.
“Me këtë publikim, KQZ përmbyllë procesin e publikimit të raporteve vjetore financiare të partive politike për vitet 2021 dhe 2022 si dhe të raporteve financiare të deklarimit financiar të fushatës së Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës (14 shkurt 2021) dhe Zgjedhjeve Lokale për Kuvende Komunale dhe dy raundet për Kryetarë të Komunave (17 tetor 2021 dhe 5 nëntor 2021)”, thuhet në njoftimin për media.
Më 13 nëntor, KQZ ka publikuar raportet e audituara financiare të vitit 2021, të cilat u takojnë partive politike dhe raportet e audituara të deklarimit financiar të fushatës së proceseve zgjedhore që janë mbajtur gjatë vitit 2021.
Duke u mbështetur në legjislacionin në fuqi, bëhet e ditur se të gjitha partitë politike të regjistruara janë të obliguara që deri më 1 mars të çdo viti të dorëzojnë raportet vjetore financiare, ndërsa pas çdo palë zgjedhjeje subjektet politike garuese duhet të dorëzojnë raportin financiar të fushatës më së largu deri 45 ditë pas ditës së zgjedhjeve.
“Me qëllim të rritjes së transparencës, prej disa vitesh KQZ ka publikuar raportet vjetore financiare dhe raportet e fushatave zgjedhore edhe kur ato nuk kanë qenë të audituara, duke sqaruar se të njëjtat mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit”, thuhet tutje. /Telegrafi/