Site icon Telegrafi

​KQZ pranon si donacion serverë dhe pajisje nga Gjermania

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar donacion serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve nga Gjermania.

Gjatë kësaj ceremoni u bë thirrje për proces të qetë zgjedhor dhe pjesëmarrje nga të gjithë qytetarët me të drejtë vote në procesin zgjedhor të 9 shkurtit.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi theksoi se kjo mbështetje e shtetit gjerman do të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës dhe avancimin e standardeve zgjedhore në Kosovë.

Sipas tij ky donacion është një investim i madh në integritetin e procesit zgjedhor dhe në besimin e qytetarëve ndaj procesit zgjedhor.

“Pranimi i këtyre serverëve modern shënon zhvillim të mëtejshëm të infrastrukturës së KQZ-së dhe është vazhdimësi e procesit të digjitalizimit të operacioneve zgjedhore….Kjo mbështetje është e çmuar dhe do të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës tonë dhe avancimin e standardeve zgjedhore në Kosovë. Gjithashtu, duke pasur parasysh rolin e KQZ-së, ky donacion është një investim i madh edhe në integritetin e procesit zgjedhor dhe në besimin e qytetarëve ndaj procesit zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet i përkushtuar për të vazhduar me përmirësimet e nevojshme në funksion të një administrimi zgjedhor më të avancuar. Ky donacion është një investim në të ardhmen tonë demokratike dhe në besimin e qytetarëve ndaj procesit zgjedhor”, theksoi kryesuesi i KQZ-së, raporton KP.

Kryesuesi i KQZ-së, Radoniqi bëri thirrje për proces të qetë zgjedhor dhe pjesëmarrje nga të gjithë qytetarët me të drejtë vote.

“Gjatë këtyre 6 muajve, jemi përkushtuar maksimalisht për organizimin e këtyre zgjedhjeve, me qëllim që qytetarët me të drejtë vote të shprehin vullnetin e tyre dhe që zgjedhjet të organizohen sipas ligjit dhe sipas standardeve më të mira. Në emër të KQZ-së, u bëj thirrje të gjithëve për proces të qetë zgjedhor. Gjithashtu, ftojmë dhe inkurajojmë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të dalin të votojnë”, theksoi ai.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde shprehu bindjen e tij se procesi zgjedhor i së dielën do të shkoj pa vështirësi.

Sipas tij ky donacion siguron proces zgjedhor të sigurt si dhe fuqizon organet e administrimit të zgjedhjeve duke rritur besimin e publikut.

“Demokracia dhe zgjedhjet e lira janë themeli i një shoqërie prosperuese. Ne dëshirojmë të fuqizojmë të ardhmen tonë dhe demokracinë që siguron lirinë individuale për të gjithë ne. Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka bërë përparime të madh në ngritjen dhe demokratizim….Digjitalizimi i procesit zgjedhor do të jetë kyçe për këtë progres…Ky donacioni prej më shumë se 140 mijë eurove siguron që edhe këto zgjedhje aktuale dhe në të ardhmen të jenë të sigurta në Kosovë dhe në Gjermani derisa kemi zgjedhje për 3 javë. Qëllimi jonë është që të fuqizojmë organet e administrimit të zgjedhjeve në Kosovë për të fuqizuar besimin e publikut në procese zgjedhore në Kosovë…Jam i impresionuar dhe jam 100% i sigurt se do të kemi zgjedhje pa vështirësi ku do të dielën do t’i shohim rezultat e zërit të qytetarëve“, u shpreh ai.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Misionit të OSBE-së në Kosovë, Cornelia Taylor u shpreh se si mision kanë punuar me KQZ-në për të digjitalizuar hapat kryesorë të procesit zgjedhor, në përputhje me obligimet e reja të prezantuara nga Ligji për Zgjedhjet.

Duke uruar një proces zgjedhor të suksesshëm, Taylor u shpreh se këta serverë do t’i bëjnë opsionet zgjedhore më të qasshme dhe më të lehta për përdorim.

“Kjo përmirëson shërbimet e KQZ-së për votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit e zgjedhjeve duke i bërë opsionet e zgjedhjeve më të qasshme për publikun dhe gjithashtu më të lehta për t’i përdorur. Tre serverët që po i dorëzojmë sot juve Radoniqi janë blerë me mbështetjen e Gjermanisë dhe është pjesa e fundit që plotëson mozaikun e projektit në të cilin kemi punuar.

Kjo do t’i mundësoj KQZ që të themeloj një strukturë të besueshme teknologjike që do të krijoj një funksionim të lehtë, pa probleme të proceseve të votimit dhe numërimit. Një dhomë serveri që funksionon mirë është shtylla kurrizore e administrimit modern të zgjedhjeve, duke garantuar që operacionet të përmbushin standardet më të larta të saktësisë, sigurisë dhe transparencës”, citohet të ketë thënë Taylor.

Në Kosovë aktualisht kanë arritur edhe fletëvotimet, derisa më 9 shkurt qytetarët e Kosovës do të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar për zgjedhjet e përgjithshme të rregullta për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. /kp/

Exit mobile version