Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka njoftuar se deri tani kanë pasur 930 kërkesa për ndërrimin e qendrës së vendvotimit.
Ahmetaj në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) deklaroi se 783 kërkesa kanë pranuar përmes shërbimeve që ofrojnë online, transmeton Telegrafi.
“Nga 20 korrik e deri 3 gusht, kemi pranuar 783 kërkesa për ndërrimin e qendrës së vendvotimit, kurse nga 20 korrik deri më 27 korrik nëpër zyrat komunale në komuna janë parashtruar 150 kërkesa fizike për ndërrimin e qendrës së votimit. Gjithsej, 930 kërkesa për ndërrimin e qendrës së vendvotimit”, deklaroi ai.
Gjithashtu, Ahmetaj tha se është duke vazhduar procesi i regjistrimit të votuesve jashtë vendi, ku deri tani kanë pranuar mbi 2 mijë aplikime.
“Ndërsa sa i përket regjistrimit së votuesve jashtë vendit, raporti i datës 3 gusht thotë se janë 2100 aplikime për regjistrim për të votuar jashtë vendi, 1960 aplikacione janë të aprovuara dhe 140 aplikacione tjera nuk janë aprovuar akoma dhe janë në pritje”, theksoi ai.
Siç njoftoi Ahmeti, më së shumti aplikime për regjistrim për të votuar në zgjedhjet lokale ka nga shteti i Gjermanisë dhe i Zvicrës.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor. /Telegrafi/