Site icon Telegrafi

​KQZ po çalon në secilën fazë të procesit të numërimit të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke çaluar në secilën fazë të përmbylljes së procesit të numërimit. Kështu po vlerësojnë monitorues të procesit zgjedhor, të cilët konsiderojnë se KQZ, deri në mesin e muajit mars do të mund t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në anën tjetër në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve ka përfunduar numërimi i votave në përfaqësi diplomatike dhe ka nis numërimi i votave përmes postës.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për KosovoaPress, se është e papranueshme që për votat në misione diplomatike, të nevojiten dy ditë për përditësimin e të dhënave të tyre në platformën online.

Sipas Cakollit, KQZ i duhet deri në nëntë ditë për përfundimin e numërimit të votave.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke çaluar pothuajse në secilën fazë të përmbylljes së procesit të numërimit. Pra, është krejtësisht e papranueshme që për rreth 15 mijë vota sa i kemi në kuadër të votimit në misione diplomatike t’iu duhen gati dy ditë tashmë që të njëjtat të procesohen në një faqe interneti. Kjo tregon në njërën anë për papërgjegjësi të KQZ-së dhe në anën tjetër edhe për administrim jashtëzakonisht të dobët të procesit zgjedhor. Për më keq fakti që i kemi për mbi 60 mijë vota të tjera, të cilat janë ende në kalkulim që pritet të jenë pjesë e rezultateve përfundimtare dhe t’i nënshtrohen procesit të numërimit me një tempo dhe dinamikë të tillë, mund të na duhen gati edhe një javë deri në përmbylljen e procesit në tërësi. E që nënkupton se do të mund të bëhen gati 1 muaj që nga mbajtja e ditës që zgjedhjeve që KQZ arrin t’i përmbyll proceset e numërimit”, theksoi ai.

Monitoruesi i KDI-së mesin e muajin mars e sheh si afat optimal që KQZ do të mund t’i certikifojë rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“I bie që diku 16-17 marsi është afati optimal kur KQZ mundet potencialisht t’i certifikoj rezultatet e zgjedhjeve të paktën duke supozuar se nuk do të ketë vendime nga PZAP apo Gjykata Supreme për rinumërime, rivotime apo anulime të tjera të segmentet të caktuara ët procesit zgjedhor”, u shpreh Cakolli.

Drejtori i Rrjetit të OJQ-ve “Avonet”, Kenan Gashi pret që në fillim të javës së ardhshme të përfundojë procesit të numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

“Vonesat në përditësimit është sistem softverik që KQZ e ka përzgjedhur këtë format dhe model. Por, kjo është njëra prej metodave me të cilat ka përzgjedhur. Përfundimi i procesit të numërimit ato që kanë mbetur nga diaspora si në konsullata ashtu edhe me post besoj që do të përfundojnë më së largu deri të hënën dhe mundësia për të pasur shqetësime kandidatët dhe ankesat besoj që do t’i japin mundësi e ankesave të tyre nëse kanë dyshime për ndonjë mos numërimit të mirë që do të bëhet gjatë numërimit”, theksoi Gashi.

Ai shpreson se në javën e dytë të marsit do të bëhet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Java e dytë e muajit mars besoj që do të bëhet certifikimi i rezultateve dhe natyrisht do të nxirret përfundimi i rezultateve përfundimtare për zgjedhjet parlamentare”, deklaroi ai.

Të mërkurën nisi procesi i numërimit të votave në 30 përfaqësi diplomatike me gjithsej 43 vendvotime, ku të drejtën e tyre të votës e ushtruan mbi 15 mijë bashkatdhetarë.

Në anën tjerë në Qendrën e Numërimit të Rezultateve pritet të bëhet edhe numërimi i votave me kusht, si dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Në zgjedhjet e rregullta parlamentare që ndodhën më 9 shkurt morën pjesë mbi 40% e qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në këto zgjedhje parlamentare partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje me 40.89 %, pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.40 %, pasuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës me 17.23 %. Koalicioni AAK-NISMA ka marrë 7.40 % të votave, ndërsa Lista Serbe me 4.81 %./KP/Telegrafi/

Exit mobile version