Qytetarët e Kosovës dje i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës.
Sipas rezultateve të deritanishme nga ana e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje del të jetë e para me 48,17%, pas saj renditet PDK-ja me 17,35%, e treta është LDK-ja me 13,18% dhe AAK me 7,42%.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se numërimi i votave ka përfunduar mbrëmë, ndërkaq kanë mbetur pa u procesuar vetëm 46 vendvotime.
“Numërimi i fletëvotimeve ka përfunduar të dielën në mbrëmje. Në ueb faqe janë transmetuar rezultatet nga 2336 vendvotime apo rreth 99%. Kanë mbetur pa u procesuar vetëm 46 vendvotime të dhënat e të cilave do të ngarkohen gjatë ditës”, ka shkruar Elezi.
Ndryshe në zgjedhjet e 14 shkurtit të drejtë vote kanë pasur 1 milion 763 mijë e 472 qytetarë, kurse pjesëmarrja në zgjedhje 45,52%. /Telegrafi/