Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i është drejtuar me një letër kryetares se KQZ-së, Valdete Daka dhe anëtarëve tjerë të këtij komisioni.
Limaj ka kërkuar rinumërim të votave në nivel vendi. Në KQZ-së thonë se është dorëzuar një kërkesë e tillë, por që nuk japin detaje për shqyrtimin e saj.
Lidhur me kërkesën e kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, për rinumërim të votave në nivel vendi, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se është në dijeni që protokollit të KQZ-së, i është dorëzuar një kërkesë e tillë, por nuk ka dhënë më shumë detaje rreth saj.
“Me sa e di unë është dorëzuar në protokollin e KQZ-së një kërkesë e tillë, por do ta përsëris që vendimi i KQZ-së për rinumërimin e 314 vendvotimeve është vendim i KQZ-së që ka ardhur pas rekomandimeve të Qendrës së Numërimeve dhe Rezultateve, pas gjetjeve të cilat janë bërë në këtë qendër gjatë pranimit të materialit nga këto vendvotime. Natyrisht për shkak të atyre të mospërputhjeve është dashur të shkohet në rinumërim të këtyre kutive të votimit, për të gjetur gjendjen reale të atyre kutive të votimit”, tha ai.
Në letrën e Limajt ndër të tjera shkruan se janë evidentuar parregullsi dhe shkelje flagrante në përdorimin e formularëve të bartjes se rezultateve zgjedhore në të gjitha komunat e Kosovës.
“Për shkak të efektit negativ dhe në shkeljen e nenit 101 dhe 102 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme konsiderojmë se vendimi për rinumërim të pjesshëm i KQZ-së është i pamjaftueshëm për të përmirësuar shtrembërimin e rezultatit pa saktësinë dhe dëmin që iu është shkaktuar subjekteve politike garuese duke dëmtuar kështu direkt vullnetin e shprehur të votuesit në të gjitha komunat”, thuhet ndër të tjera në letrën e Limajt të cilën e ka siguruar KP.