Site icon Telegrafi

Edhe pse u paralajmërua, KQZ thotë se ende nuk dihet kur do të fillojë numërimi i fletëvotimeve me kusht

E plotësuar: Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se ende nuk dihet se kur do të fillojë numërimi i fletëvotimeve me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, pavarësisht se u paralajmërua që të nisë sot, më ora 18:00.

“Aktualisht shërbimi votues është duke bërë një verifikim të të dhënave dhe pas përfundimit të tij do të mund të fillojmë me numërimin e fletëvotimeve me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta”, tha ai.

“Po bëjmë përpjekje që ta përmbyllim sa më shpejt këtë proces në mënyrë që të mund të nisim me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. Shpresojmë se do të arrijmë që sonte të nisim këtë numërim”, tha tutje Elezi për EO.

Numri i zarfeve të fletëvotimeve me kusht është 31 mijë e 427, ndërsa i zarfeve të fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 766.

Sot në ora 18:00 nis numërimi i votave me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot do të nisë procesi i numërimit të votave me kusht.

Numërimi i këtyre votave do të fillojë nga ora 18:00.

“45 vëzhgues për një subjekt politik kanë të drejtë të vëzhgojnë procesin e numërimit të votave me kusht”, ka njoftuar KQZ-ja.

Ndërkohë, shërbimi votues i KQZ-së të premten në mesnatë ka përmbyllur procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime. Nga rezultatet preliminare janë aprovuar rreth 53 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe.

KQZ-ja pritet që në fillim të javës së ardhshme të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare duke i hap kështu rrugë formimin të Qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Exit mobile version