Telegrafi

​KQZ në pritje të datës së zgjedhjeve, Elezi tregon parapërgatitjet për zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Kosovës

Shumë shpejt pritet që të caktohet data për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Kosovës.

Për këtë qëllim, më 31 korrik 2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të takojë drejtuesit e partive politike në Kosovë për të diskutuar për datën e zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Kosovës, e cila pritet të jetë në janar/shkurt të vitit 2025.

Pas këtij njoftimi, janë deklaruar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili ka për detyrë organizimin e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë të dielën se ky institucion “fillon përgatitjet intensive për përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve, në kuptim të realizimit të aktiviteteve sipas afateve të përcaktuara me ligj, pasi të caktohet data për mbajtjen e tyre”.

Por, pavarësisht se data e zgjedhjeve ende nuk është caktuar, Elezi ka thënë se KQZ ka punuar që të përgatitet për procesin e ardhshëm zgjedhor.

“Duke qenë të vetëdijshëm se ky është një vit zgjedhor, që nga fillimi i këtij viti, KQZ e ka orientuar punën në parapërgatitjen e shumë çështjeve që ndërlidhen me detyrimet ligjore të KQZ-së. Në këtë drejtim është edhe softueri i KQZ, zhvillimi i të cilit është në përfundim e sipër dhe është mundësuar me mbështetjen e OSBE-së. Me anë të këtij softueri, do të digjitalizohen shumë nga operacionet zgjedhore”, tha Elezi për kp.

Elezi ka sqaruar se çfarë shërbimesh do të ofrohen përmes këtij softueri.

“Përmes këtij softueri do të ofrohen shërbime të ndryshme online, si në vijim: kërkimi i Qendrës së Votimit dhe aplikimi për ndryshimin e saj; aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës; aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta; aplikimi për regjistrim dhe përditësimi i të dhënave të partive politike; aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve; aplikimi për akreditim për vëzhgim të zgjedhjeve; regjistrimin e të dhënave për trupat zgjedhore; aplikimin online për akreditimin e vëzhguesve; mbledhja e të dhënave dhe paraqitja e rezultateve preliminare dhe përfundimtare në mënyrë progresive”, ka thënë Elezi.

Zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës janë mbajtur më 14 shkurt 2021.