Site icon Telegrafi

KQZ ndryshon sloganin e zgjedhjeve në ‘Trego Fuqinë Tënde – Voto’

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndryshuar sloganin për zgjedhjet e 6 tetorit në ‘Trego Fuqinë Tënde – Voto’.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së për Telegrafin, Valmir Elezi.

“Është ndërruar slogani nga “Votojmë për të ardhmen tonë” në sloganin e ri “Trego Fuqinë Tënde-Voto”.”, ka thënë Elezi.

Slogani i kaluar që ishte ‘ Votojmë për të ardhmen tonë’, ishte i ngjashëm me atë të Partisë Demokratike të Kosovës ‘ Ndërtojmë të ardhmen për ty dhe shtetin’.

Përfaqësuesi i LDK-së, Sami Hamiti ka thënë se kjo ka ndodhur pa dashje.

“Kjo ka ndodhur pa dashje. Në një moment kur e kemi pasur vetëm një fjalë të sloganit që ka qenë e ndonjë partie e kemi kthyer mbrapsht. Konsideroj që të gjithë përfaqësuesit e partive politike duhet të tregojnë nëse përputhen me sloganet e tyre”, ka thënë ai.

Ndërsa përfaqësuesi i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka theksuar se KQZ është e paanshme dhe nuk duhet të rrëshqas as në këtë moment.
“KQZ është një palë e paanshme në këtë proces. Për mua kjo çështje do të duhej të kalonte pa diskutim sepse nuk bënë KQZ të rrëshqas asnjë anë qoftë simbolikisht siç është slogani”, ka thënë ai.

Slogani i ri e kanë votuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike në KQZ./Telegrafi/

Exit mobile version