Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka miratuar dizajnin e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. E njëjta u konsiderua lehtë e qasshme për qytetarët, pasi nuk ka dallim nga e kaluara.
Në mbledhjen e sotme u kërkua nga Ministria e Shëndetësisë që të vaksinojë të gjitha trupat zgjedhor të KQZ-së. Ndërkohë, nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje u kërkua sërish që raportimi i brendshëm i auditimit për zgjedhjet e 14 shkurtit të dorëzohen në Prokurori, pasi sipas tyre ka shkelje të rënda.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, duke prezantuar dizajnin e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale, tha se çdo ndryshim nga e kaluara do të krijonte huti te qytetarët. Mirëpo me kërkesë të anëtarëve të tjerë të KQZ-së, u bë ndryshimi i fjalës “shënjoni” në “votoni” në fletëvotimet për zgjedhjet lokale.
“Qytetarët kanë memorizuar këtë fletëvotim që është i kahershëm dhe çdo ndryshim i madh i fletëvotimeve do të krijonte huti te qytetarët në mënyrën e të votuarit… Kemi konsideruar që të vazhdohet me dizajnin e njëjtë me disa ndryshime teknike që lehtësojnë votimin, në raport me përshkrimin që është sipër. Aty kërkohet që për kryetar të komunës të shënjohet vetëm një kandidat, të theksohet ajo dhe më pas në fletëvotimin për kuvend komunal, po ashtu një rirenditje në kolonat në tri gjuhë zyrtare të sqarohet mënyra e votimit”, tha ai.
Nevojën e përshtatjes së zgjedhjeve lokale në raport me situatën e pandemisë COVID-19 në vend e paraqiti kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, i cili tha duhet të ketë një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë për t’i vaksinuar trupat zgjedhorë të KQZ-së.
“Do të ishte mirë të kemi një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që t’iu mundësohet të gjitha trupave zgjedhor vaksinimi, në mënyrë që mos të kemi pengesa në ditën e zgjedhjeve në aspektin e organizimit”, tha Ahmetaj.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alim Rama kërkoi sërish që të dërgohet në Prokurori raporti i auditimit të brendshëm për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, pasi sipas tyre ka shkelje të rënda, derisa insistoi që të njëjtin ta dërgojë kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
“Kryesuesi i KQZ-së e përfaqëson KQZ-në në institucionet tjera, në raportin e auditorit është rekomandimi i qartë që dorëzohet në (Prokurori)”, tha ai.
Lidhur me këtë, kryesuesi Radoniqi tha se kallëzimin penal mund ta parashtrojë edhe vetë ai.
‘Sa i përket dërgimit të një raporti në Prokurori, parashtrimin e një kallëzimi penal mund ta bëjë çdo kush. Atë mund ta bëni edhe ju ta dorëzoni raportin”, tha ai.
Edhe gjatë kësaj mbledhje nuk mungoi kërkesa e Sami Kurteshit për vendosjen e maskave brenda sallës së mbledhjeve të KQZ-së për shkak të pandemisë. Ndërsa tha se i gjithë procesverbali i mbledhjes së fundit dhe video-incizimet ku aludohet se ai është përfshirë në një incident brenda objektit të KQZ-së, të dërgohen në Prokurori.
“I lus të gjithë personat që janë në sallë të mbajnë maskën. Ata që nuk duan të mbajnë maskën, le të dalin jashtë. Përsëri po e bëj këtë dhe përsëri do të bëj, unë po iu them ju lutem vendoseni maskën, mos më detyroni të shkruaj fletëparaqitje personale për personat që nuk e vendosin maskën dhe ta dërgoj në polici. Unë s’po dua ta bëj ligjin, por jam shumë i shqetësuar për shëndetin tim”, tha ai.
Ndryshe, në mbledhjen e sotme, KQZ regjistroi edhe një parti politike me emrin “Forca e Diasporës”./kp/