Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të rinumërohen edhe 530 vendvotime.
Vendimi i KQZ-së është marrë në mbledhjen e mbajtur sot, pas rekomandimeve të Qendrës për Numërim dhe Rezultate (QNR), transmeton Telegrafi.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se duhet të fillohet menjëherë me rinumërim.
Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj tha se në këto 530 vendvotime ka pasur probleme kryesisht teknike, prandaj duhet të rinumërohen.
Ahmetaj gjithashtu ka thënë se gjatë ditës së djeshme është përmbyllur edhe numërimi i votave me postë.
“Në QNR dje ka filluar procesi i numërimit të votave me postë, proces ky i cili është përmbyllur dje rreth orës 22:00. Dhe janë publikuar të gjitha votat për subjektet politike. Nga 13 mijë e 491 vota sa kanë ardhur me postë, prej tyre janë 13 mijë e 241 të vlefshme”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka pohuar se janë në fazën e fundit të kontrollës së votave me kusht, dhe që pas kësaj kontrolle do t’i hapet rrugë numërimit të këtyre votave./Telegrafi/