Site icon Telegrafi

KQZ merr përsipër organizmin e zgjedhjeve edhe në veri

Foto: ARKIV

Komisioni Qendror i Zgjedhje (KQZ) nuk e ka ftuar misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, që të ndihmojë në procesin zgjedhor në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. KQZ-ja, që është institucioni përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve në tërë territorin e Kosovës, konsideron se janë arritur kapacitetet e mjaftueshme për ta mbikëqyrur dhe organizuar vetë procesin zgjedhor.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi tha se ftesa për OSBE-në nuk është bërë, pasi tashmë janë konsoliduar trupat zgjedhore.

“Misioni i OSBE-së në zgjedhjet paraprake ka pasur rol këshilldhënës dhe mbështetës për trupat lokale zgjedhore. Ne tani konsiderojmë se këto trupa janë konsoliduar mjaftueshëm dhe se janë të gatshëm që të përmbushin vetë detyrimet që dalin nga ligji dhe rregulloret në fuqi”, tha Elezi.

Ai rikujtoi se edhe në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme për kryetar komune të Mitrovicës së Veriut, në nëntor të vitit 2020, zgjedhjet janë organizuar pa problem nga KQZ-ja.

Marrëveshje e fshehur?

Analisti Fisnik Halimi e konsideron si lajm të rëndësishëm faktin që KQZ-ja do të organizojë vetë zgjedhjet në veri, por ai dyshon se ka marrëveshje të fshehur për këtë.

“Unë mendoj se ky aranazhim është pjesë e ndonjë marrëveshjeje të Uashingtonit ose Brukselit. Konsideroj se kjo mund të jetë mbajtur fshehur nga politikanët, pasi nuk besoj që ky hap do të ndërmerrej pa pasur një siguri nga Beogradi që zyrtarët zgjedhorë më 14 shkurt do të jenë të sigurt”, tha Halimi.

OJQ-të e mbështesin vendimin

Organizatat që merren me monitorimin e zgjedhjeve e mbështesin këtë vendim. Dushan Radakoviq nga organizata “Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike”, me seli në Mitrovicën e Veriut, thotë se ky vendim ishte i domosdoshëm.

“Realisht, ka qenë koha e fundit që KQZ-ja të marrë vetë përsipër të gjithë procesin e organizimit të zgjedhjeve”, tha Radakoviq, organizata e të cilit është pjesë e rrjetit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.

“Do të jetë sfidë për KQZ-në dhe test se sa mund të organizojë zgjedhje të lira e të drejta. Por, nuk e shoh problematike këtë proces, pasi edhe ne si ‘Demokraci në Veprim’ do të japim kontributin tonë. Pra, i tërë procesi do të jetë nën monitorim”, tha Radakoviq.

Misioni i OSBE-së, që nga zgjedhjet lokale të vitit 2013, është ftuar që të asistojë në organizimin e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Kjo është hera e parë që zgjedhjet në tërë territorin e vendit organizohen vetëm nga KQZ-ja.

Siguria e procesit zgjedhor

Në zgjedhjet e 14 shkurtit do të marrin pjesë 28 subjekte politike. Nga to, tri janë subjekte politike serbe, por vetëm Lista Serbe ka struktura dhe degë në katër komunat me shumicë serbe. Ky subjekt politik përkrahet hapur nga Beogradi zyrtar.

Dushan Radakoviq nga “Domokracia në Veprim” thotë se nuk ka arsye për shqetësim.

“Duhet konsideruar faktin se në komisionet lokale zgjedhore do të jenë të përfaqësuara të gjitha subjektet politike. Është faj i vetë subjekteve të caktuara që nuk kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhje”, shtoi Radakoviq.

Në raportin e vitit 2019, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Misioni mbikëqyrës i Bashkimit Evropian, kishte konstatuar presionet dhe frikësimet e qytetarëve të komunitetit serb, që të votojnë për Listën Serbe.

Qytetarët e Kosovës do të votojnë më 14 shkurt në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u urdhëruar nga Gjykata Kushtetuese, me aktgjykimin për rastin e deputetit Etem Arifi. Vota e tij u pa si përcaktuese për formimin e qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti më 3 qershor, 2020. /rel/

Exit mobile version