Site icon Telegrafi

KQZ kërkon që të gjithë vëzhguesit dhe komisionerët të jenë të vaksinuar kundër COVID-19

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e sotme ka bërë të ditur se pa dëshmi të vaksinimit apo të testit PCR se janë negativ me COVID-19, asnjë anëtarë i KQZ-së nuk mund të punojë në ditën e zgjedhjeve.

Kështu bëri të ditur gjatë kësaj mbledhje, shefi i sekretariatit, Burim Ahmetaj.

“Një proces të rëndësishëm që jemi duke i kushtuar rëndësi është procesi i identifikimit të gjithë stafit të angazhuar në zgjedhje sa i përket vaksinimit të trupave zgjedhor. Në raportin e datës 7 shtatorit më shumë se 70% e gjithë stafit të angazhuar në zgjedhje janë të vaksinuar me dozën e parë, e me dozën e dytë kemi diku rreth 36% të vaksinuar, ndërsa të pa vaksinuar kemi 27% të stafit të angazhuar në zgjedhje, që nënkupton se janë edhe një pjesë e stafit permanent që punojnë në KQZ”, tha Ahmetaj.

Për një gjë të tillë u pajtua edhe Ilir Gashi i PDK-së, i cili kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë që deri në ditën e zgjedhjeve të kryhet vaksinimi i gjithë trupave zgjedhore.

“Pas datës 13 shtator nuk mund të ketë askush qasje në institucionet publike e private pa qenë i vaksinuar. Ne kemi lista të gjithë vëzhguesve dhe komisionerëve ku mund të komunikojmë me ministrinë e Shëndetësisë që t’u jep përparësi të gjithë trupave zgjedhore të vaksinohen para zgjedhjeve”, tha Gashi.

Me një gjë të tillë u pajtuan edhe anëtarët e tjerë të KQZ-së nga partitë tjera politike.

E kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka ftuar partitë politikë që personat që do të punojnë gjatë dhe pas zgjedhjeve të jenë të vaksinuar. /Telegrafi/

Exit mobile version