Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kërkon nga Agjencioni për Regjistrim Civil që personat me dokumente të UNMIK-ut të largohen nga lista e votuesve, meqë dokumente të tilla nuk janë të vlefshme që prej vitit 2013-të.
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, tha se persona të tillë duhet të largohen përkohësisht nga lista meqë shkaktojnë keqpërdorime të mundshme, derisa të njëjtit të pajisjen me dokumente të Republikës së Kosovës.
Këtij të vendimi të KQZ-së i parapriu rekomandimi i Këshillit për Operacione Zgjedhore, i cili kërkoi nga KQZ që personat me dokumente të UNMIK-it të largohen nga lista preliminare e votuesve.
“Siç e dini dokumentet e UNMIK-ut tashmë nuk janë të vlefshme që nga viti 2013 nuk kanë validitet dhe megjithatë ndodhen në listën e votuesve dhe siç tha edhe Alimi kontribuojnë në pasaktësinë e listës së votuesve dhe në keqpërdorime eventuale dhe plotësisht me të drejtë këshilli për operacione zgjedhore rekomandon KQZ-në që të kërkojë nga agjencioni për regjistrim civil që këta persona ndoshta jo të largohen plotësisht nga lista, sepse ne nuk mund t’i largojmë por të pezullohen dhe neve mos të na vjen ekstrakti me emra të tyre, pastaj çka bën agjencioni është çështje tjetër”, tha Daka.
Sipas saj, agjencioni duhet të pezullojë përkohësisht këta persona meqë të njëjtit pastaj mund të pajisen me dokumente të Republikës së Kosovës.