Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi në konferencën e parë për media të KQZ-së tha se të gjitha qendrat e vendvotimit në tërë Kosovën janë hapur me kohë.
Ai tha se deri më tani nuk është raportuar ndonjë parregullsi. Zëdhënësi i KQZ ftoi qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Ju njoftoj se në orën 7 janë hapur të gjitha vendvotimet. Numri i qendrave të votimit ku ka filluar procesi i votimit është 883 me gjithsej 2,477 vendvotime.
Sot në Republikën e Kosovës mbahen Zgjedhjet Lokale të shtatat me radhë për Kuvende Komunale dhe të pestat për Kryetarë të Komunave. Zgjedhjet mbahen për të zgjedhur 38 Kryetarët e Komunave dhe 1,002 anëtarët e 38 Kuvendeve Komunale.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje është: 5 mijë e 364 kandidatë, prej të cilëve 166 kandidatë për Kryetar Komune dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale.
Sipas listës përfundimtare të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 1 milion e 885 mijë e 448”, ka thënë Elezi.
Me qëllim të informimit, KQZ do të mbajë disa konferenca.
Konferenca e radhës është në ora 11:30, 15:30 dhe 19:30. /Telegrafi/