Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës është vlerësuar me vendin e parë të Çmimit Ndërkombëtar Zgjedhor në kategorinë “Menaxhimi i Zgjedhjeve”.
Ky çmim i është dorëzuar kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka për udhëheqje të suksesshme të tij, në një ceremoni e cila po mbahet në Jordani e organizuar nga Qendra Ndërkombëtare për Studime Parlamentare (ICPS).
Kjo ngjarje mbahet në partnerit me Komisionin e Pavarur Zgjedhor të Jordanisë (IEC) dhe në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për Mbështetje Zgjedhore (ECES).
Në këtë ceremoni, kryetarja e KQZ-së, Daka mbajti edhe një prezantim lidhur me menaxhimin e proceseve zgjedhore në Republikën e Kosovës dhe bashkëpunimin me institucionet tjera shtetërore.
Fillimisht kryetarja Daka ka prezantuar para të pranishmëve një historik të Kosovës si dhe për rolin e KQZ-së të përcaktuar me Kushtetutë.
Në detaje, kryetarja Daka është ndalur edhe në bashkëpunimin e KQZ-së me institucionet tjera shtetërore, siç janë Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit si dhe me institucionet e drejtësisë, i cili sipas saj është i domosdoshëm në menaxhimin e të gjithë procesit zgjedhor, pasi çdo njëri prej këtyre institucioneve ka rolin e vet në faza të ndryshme të procesit zgjedhor.
Në këtë veprimtari po marrin pjesë organet e menaxhimit të zgjedhjeve nga vende të ndryshme të botës për të ndarë praktikat më të mira dhe për të zhvilluar strategji inovative që mund të praktikohen në vendet e tyre përkatëse. /Telegrafi/