Site icon Telegrafi

KQZ-ja ka kërkuar verifikimin e mbi 3 mijë kandidatëve për zgjedhjet lokale

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur se KQZ ka dërguar në institucione të ndryshme shkresa të veçanta, nga të cilat, në bazë të fushës së përgjegjësisë që mbulojnë është kërkuar konfirmimi i përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Elezi bëri të ditur se këtyre shkresave i është bashkangjitur edhe lista me emrat e 3 mijë e 205 kandidatëve që u takojnë subjekteve të ndryshme politike dhe të cilët kanë kërkuar nga KQZ-ja që të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.

Sipas tij, edhe rreth 2 mijë emra të tjera do të dërgohen së shpejti në këto institucione.

Në nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme janë të listuara të gjitha rastet kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat, prandaj është kërkuar për secilin kandidat, nga secili prej këtyre institucioneve, të bëjnë verifikimin sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë.

Këto shkresa janë dërguar në institucione të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës,  Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Doganës së Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ bëri të ditur se sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-së, është planifikuar që deri më 23 gusht të përfundojë procesi i dërgimit të kërkesave në këto institucione për verifikim të kandidatëve.

“Natyrisht se kjo po ndodhë edhe më shpejt dhe kjo do të krijojë më shumë kohë për këto institucione që të shqyrtojnë këto shkresa dhe të na kthejnë përgjigje. Po sipas planit operacional, do të presim përgjigje nga këto institucione më së largu deri më 24 gusht.

Pas pranimit të përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatisë rekomandimet lidhur me certifikimin ose jo të ndonjë kandidati, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendimet më së largu deri më 1 shtator”, tha ai.

Sipas tij, në rast të moscertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

“Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator”. /Telegrafi/

Exit mobile version