Site icon Telegrafi

KQZ-ja e gatshme për zgjedhje, kurdo që mbahen ato

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, ka thënë për Telegrafin se ata si KQZ janë të përgatitur për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Por, sipas saj, nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ata si institucion do të merren me organizimin dhe mbarëvajtjen e tyre.

Daka ka theksuar për Telegrafin se zgjedhjet kushtojnë prej 4.5 deri në 5 milionë euro.

“Kjo është shuma sa kushtojnë zgjedhjet, varësisht prej kohës kur organizohen ato”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, kohëzgjatja e fushatës zgjedhore, do të zgjasë varësisht prej kohës kur janë zgjedhjet, duke shtuar se “nëse mbahen tash së shpejti zgjedhjet e parakohshme, ajo do të jetë më pak se një muaj”.

Ndryshe, ditëve të fundit po diskutohet më të madhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, me ç’rast edhe partia opozitare “Nisma për Kosovën”, ka iniciuar një mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, e cila shumë shpejt pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version