Site icon Telegrafi

KQZ informon votuesit për mënyrën e plotësimit të saktë të fletvotimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një njoftimi ka bërë të ditur hapat dhe procedurat se si plotësohet fletëvotimi në ditën e zgjedhjeve.

Sipas këtij njoftimi, në anën e majtë të fletvotimit është i renditur subjekti politik, ndërsa në anën e djathtë janë kandidatët për deputetë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë mbahen të dielën më 14 shkurt.

Njoftimi i plotë i KQZ-së

“Si të plotësohet fletëvotimi?

Pasi të hyni në kabinën e votimit, sigurohuni që fletëvotimi është i vulosur.

Në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ju mund të votoni vetëm për një Subjekt Politik të renditur në anën e majtë të fletëvotimit, ndërsa në anën e djathtë mund të votoni deri në pesë kandidatë nga ai subjekt politik.

Listën e kandidatëve dhe numrat e tyre i gjeni në broshurën që gjendet në kabinën e votimit.

Për të mbrojtur fshehtësinë e votës, paloseni fletëvotimin para se të largoheni nga kabina dhe më pas vendoseni në kutinë e votimit.

Të gjitha vendvotimet do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00”.

Dokumentet e vlefshme për votim

Për të votuar, mjafton të keni njërin prej këtyre dokumenteve të vlefshme të lëshuara nga Republika e Kosovës:
A. Letërnjoftim;
B. Pasaportë;
C. Dokument i udhëtimit; dhe
D. Patentë shoferi.

Exit mobile version