Të mërkuren më 25 shtator do të fillojë zyrtarisht fushata zgjedhore. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për Telegrafin se sipas vendimit të KQZ-së për këto zgjedhje janë 25 subjekte politike pjesëmarrëse ku këtu bëjnë pjesë katër koalicione, 20 parti politike dhe një kandidat.
”Me 25 shtator fillon zyrtarisht fushata zgjedhore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur më herët certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 6 tetorit. Sipas vendimit të KQZ-së janë 25 subjekte politike pjesëmarrëse në këto zgjedhje (4 koalicione; 20 parti politike; dhe 1 kandidat i pavarur)”, ka thënë ai.
Elezi ndër të tjera ka treguar mesazhin e KQZ-së dhe ftesën që u ka bërë subjekteve politike para fillimit zyrtarisht të fushatës zgjedhore.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i fton subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre që t’u përmbahen ligjeve të Republikës së Kosovës dhe rregullave zgjedhore, sepse vetëm në këtë mënyrë do t’i kontribuojnë një procesi zgjedhor të rregullt”, ka thënë ai.
Ndryshe KQZ ka ndërruar sloganin për këto zgjedhje. Slogani i zgjedhjeve do të jetë ‘Trego Fuqinë Tënde – Voto’. /Telegrafi/