Site icon Telegrafi

KQZ emëron rreth 250 anëtarët e 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve

Foto: Arkiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka emëruar në mbledhjen e sotme rreth 250 anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në të 38 komunat e Kosovës.

Kjo është bërë në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor 2021.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar emrat e propozuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës për t’u verifikuar nëse janë në përputhje me rregullën zgjedhore për emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, para se t’i emëronte ata.

Ndryshe, personi i nominuar për emërim për anëtar të KKZ-së duhet t’i plotësojë disa kritere, në mesin e të cilave, “të mos jetë i dënuar, për vepër penale, me vendim të formës së prerë të gjykatës në tri vitet e fundit”.

7 persona kanë rezultuar se nuk janë në përputhje me këtë përcaktim të rregullës zgjedhore dhe të cilët duhet të zëvendësohen me emra të rinj sipas KQZ-së.

Mandati i anëtarëve të KKZ-ve fillon në ditën e këtij vendimi dhe përfundon 15 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, përveç nëse ky mandate ndërpritet para përfundimit ose zgjatet me vendim të veçantë.

Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, KKZ-ja është organ përgjegjës për zbatimin e aktiviteteve zgjedhore brenda territorit të komunës së caktuar. /Telegrafi/

Exit mobile version