Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi sot që t’i dërgojë në rinumërim 24 kuti të votimit të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.
Në mesin e këtyre 24 kutive të votimit, tri i përkasin fletëvotimeve për kryetarë të komunave, ndërsa 21 të tjerat për asambletë komunale.Ahmetaj tha se tri kutitë që duhet të numërohen i përkasin komunave të Prishtinës, Prizrenit dhe Suharekës.
“Rinumërimi duhet të bëhet për shkak të mospërputhjes së të dhënave brenda formularëve të rezultateve dhe mungesës së nënshkrimeve të kryesuesve të vendvotimeve”, tha Ahmetaj.
“Shpresojmë t’i japim prioritet rinumërimit sidomos për kryetar të komunave në mënyrë që të procedojmë me përgatitjet”, shtoi ai.
Sipas Ahmetajt, deri më tani, në QNR është bërë procesimi i 95 përqind të formularëve të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe 41 përqind i formularëve për asamble komunale.