Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se procesi zgjedhor është duke shkuar në rregull.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në konferencë për media ka thënë se pjesëmarrja e votuesve deri në orën 11:00 është 9.64%.
“Bazuar në të dhënat nga 94% e vendvotimeve pjesëmarrja e qytetarëve me të drejtë vote deri në orën 11:00 është 174 mijë e 669 votues apo 9.64%”, ka thënë Daka, raporton Telegrafi.
Daka ka shtuar se deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2017 kishin votuar 150 mijë e 244 votues apo 8.45% të votuesve.
Ajo ka theksuar se përveç disa incidenteve të izoluara deri tash çdo gjë është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt. /Telegrafi/